Banka Botërore ul pritshmëritë, ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.4 për qind
Konflikti në Lindjen e Mesme dhe rritja e çmimeve të energjisë po ngadalësojnë ekonominë globale, ndërsa Shqipëria mbetet mes vendeve me performancën më të mirë në rajon.

Ekonomia globale pritet të regjistrojë ritmin më të ulët të rritjes që nga periudha e pandemisë së COVID-19, sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore “Perspektivat Ekonomike Globale”. Institucioni ndërkombëtar paralajmëron se tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, kostot më të larta të energjisë dhe inflacioni në rritje po ushtrojnë presion të fortë mbi aktivitetin ekonomik në mbarë botën.
Sipas raportit, ekonomia globale pritet të rritet me vetëm 2.5 për qind gjatë vitit 2026, nga 2.9 për qind që ishte rritja në vitin e kaluar. Banka Botërore thekson se parashikimet për rreth dy të tretat e ekonomive të botës janë ulur krahasuar me vlerësimet e publikuara në janar.
Megjithëse rritja globale pritet të përmirësohet në 2.8 për qind gjatë vitit 2027, ajo do të mbetet 0.4 pikë përqindjeje nën mesataren e dekadës 2010, duke reflektuar sfidat që po përballen ekonomitë në shkallë globale.
Shqipëria mes ekonomive me rritjen më të lartë në rajon
Për Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore parashikon një rritje mesatare ekonomike prej 2.9 për qind gjatë këtij viti. Sipas raportit, Kosova pritet të ketë performancën më të mirë në rajon me një zgjerim ekonomik prej 3.7 për qind.
Shqipëria renditet e dyta, me një rritje të parashikuar prej 3.4 për qind, duke mbetur mbi mesataren rajonale. Pas saj vijnë Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut me nga 2.9 për qind, Serbia me 2.7 për qind dhe Bosnja dhe Hercegovina me 2.5 për qind. Këto projeksione tregojnë se ekonomia shqiptare vijon të ruajë ritme relativisht të larta rritjeje krahasuar me pjesën më të madhe të rajonit, megjithëse në një mjedis ndërkombëtar më sfidues.
Konflikti në Lindjen e Mesme rreziku kryesor
Banka Botërore paralajmëron se këto parashikime mund të ndryshojnë nëse konflikti në Lindjen e Mesme përshkallëzohet ose zgjatet. Një situatë e tillë mund të ngadalësojë më tej rritjen ekonomike globale dhe të ushtrojë presione shtesë inflacioniste.
Sipas raportit, mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ka shkaktuar tronditje në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Si pasojë, çmimi i naftës së papërpunuar Brent është rritur me rreth 36 për qind krahasuar me nivelin e vitit 2025. Rritja e kostove të energjisë po transmetohet gradualisht edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë, duke rritur kostot e prodhimit dhe transportit në shumë vende.
Inflacioni pritet të rritet
Raporti paralajmëron gjithashtu se çmimet e plehrave kimike pritet të rriten gjatë këtij viti, gjë që mund të ketë efekt zinxhir në shtrenjtimin e produkteve ushqimore.
Për këtë arsye, Banka Botërore projekton që inflacioni global të arrijë në 4 për qind gjatë vitit 2026, nga mesatarisht 3.3 për qind që ishte një vit më parë.
Rritja e inflacionit, e kombinuar me kostot më të larta të financimit dhe pasiguritë gjeopolitike, pritet të mbetet një nga sfidat kryesore për ekonominë globale gjatë muajve në vijim.
Parashikimi i rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor
Kosova pritet të kryesojë rajonin me një rritje ekonomike prej 3.7 për qind, e ndjekur nga Shqipëria me 3.4 për qind. Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut projektohen të rriten me nga 2.9 për qind secila, Serbia me 2.7 për qind, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina me 2.5 për qind.
Burimi: Shqiptarja
Më të lexuarat






k.jpg)